Lajme nga projekti
AKU shpërndan paketën ndihmëse të projektit për operatorët e biznesit ushqimor
26 Qershor 2020
Si pjesë e një fushate ndërgjegjësimi në bashkëpunim me Projektin për Siguri Ushqimore të financuar nga Bashkimi Evropian, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po shpërndan tek shumë operatorë të biznesit ushqimor në të gjithë vendin një paketë ndihmëse për masat anti-COVID-19 si dhe për rihapjen për sezonin turistik.
Paketa përmban një udhëzues të rihapjes të pregatitur nga ekspertë të projektit, shenja ngjitëse për dyshemenë për të ruajtur distancën dhe dezinfektues për duart. Projekti gjithashtu u siguroi inspektorëve të AKU-së maska për fytyrën dhe përpajse të posaçme për t'u përdorur gjatë vizitave të tyre të rregullta në operatorët e biznesit ushqimor.
"Falë bashkëpunimit me Projektin për Siguri Ushqimore të financuar nga Bashkimi Evropian, AKU po vazhdon shpërndajen e materialeve mbrojtëse si mbështetje dhe bashkëpunim me operatorët e biznesit ushqimor për t'i ndihmuar ata në zbatimin e masave të marra nga qeveria shqiptare," tha Drejtori i Përgjithshëm i AKU-se, z. Robert Lili, gjatë një vizite në Durrës, ku po vëzhgonte zbatimin e masave të marra nga AKU kundër përhapjes së COVID-19.
Në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, Projekti për Siguri Ushqimore ka adaptuar disa nga aktivitetet e tij për të ndihmuar institucione përfituese në Shqipëri, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të cilët përballen me nevoja të reja që vijnë si rezultat i pandemisë. Aktivitetet në fjalë përfshijnë hartimin dhe botimin e një udhëzuesi të rihapjes për bizneset shqiptare, si dhe blerja e 10 mijw shenjave ngjitëse për dyshemetë, 3200 shishe të mëdha me disifektues duarsh, 600 maska dhe 600 përpajse për t’u përdorur nga AKU.
Projekti për Siguri Ushqimore (“Mbështetje për standartet e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare") zbatohet nga një sërë institucionesh me në krye Autoritetin Irlandez të Sigurisë Ushqimore (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Sigurisë Ushqimore të Finlandës (Ruokavirasto); Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.
Drejtori i Përgjithshëm i AKU, z. Robert Lili, gjatë vizitave në Durrës dhe Lezhë, dy nga qytetet ku u shpërnda paketa ndihmëse për masat anti-COVID-19. (Video/Foto: AKU)