Lajme nga projekti
Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore 2021 bashkon Institucionet Shqiptare të Zinxhirit Ushqimor, me mesazhin “Ushqim i Sigurt Sot, për një Jetë të Shëndetshme Nesër”
9 Qershor 2021
Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore, 7 qershor 2021, përfshiu organizime në Shqipëri si në të gjithë Botën, me synimin të tërheqë vëmendjen dhe të frymëzojë akte që ndihmojnë parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga ushqimi, duke kontribuar kështu në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, zhvillimin ekonomik, bujqësinë, qasjen në tregje, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në këtë Ditë simbolike, duke synuar përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë të Institucioneve të zinxhirit ushqimor, Projekti për Siguri Ushqimore, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) dhe Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) bashkëpunuan për të ndarë dhe përforcuar mesazhin ‘Bashkë për Sigurinë Ushqimore’.
Ministrja E MBZHR-së, Znj. Milva Ekonomi, Drejtori i AKU-së, Z. Bledar Skënderaj, Drejtoresha e AKVMB-sˇ, Znj. Tana Kika, Zv/Drejtoresha e ISUV-it Jonida Boci, së bashku me përfaqësues të nivelit të lartë dhe stafin e Institucioneve përkatëse ndanë foto përfaqësuese të Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore dhe mesazhet kryesore të kësaj dite, përmes faqeve të tyre zyrtare dhe mediave sociale.
Tema e këtij viti," Ushqim i Sigurt sot, për një jetë të shëndetshme nesër", thekson nevojën e sistemeve të qëndrueshme të prodhimit, për të siguruar shëndetin e njerëzve, planetit dhe ekonomisë në terma afatgjatë.
Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët e qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve. Të gjithë kanë një rol për të luajtur nga ferma në tryezë, për të siguruar që ushqimi që konsumojmë të jetë i sigurt dhe i shëndetshëm. Kjo ditë ndërkombëtare është një mundësi për të forcuar përpjekjet për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi dhe për të siguruar ushqim të sigurt.
Me financimin e Bashkimit Evropian, Projekti “Mbështetje për Standartet e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore në Irlandë (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.
Bashkë për Sigurinë Ushqimore