Lajme nga projekti

Event Bashkëpunimi në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore

Dje kremtuam Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, duke u mbledhur bashkë për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e sigurisë ushqimore në përputhje me temën e këtij viti "Standardet e Ushqimit Shpëtojnë Jetë". Projekti i financuar nga BE për Sigurinë Ushqimore së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe zyrën e FAO-s në Shqipëri organizuan një event për të mbledhur së bashku përfaqësues nga agroturizmi, restorantet, shoqatat, rregullatorët e sistemit agro-ushqimor dhe konsumatorët.

Në videomesazhin e tij, Z. Raimund Jehle, përfaqësues i FAO-s për Shqipërinë foli për rolin jetik që luan siguria ushqimore në arritjen e ushimit të shëndetshëm, rritjen e aksesit në treg dhe zhvillimin ekonomik, si dhe sigurinë e ushqimit dhe të ushqyerjes. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e të pasurit sisteme të forta kombëtare të kontrollit të ushqimit për të mbështetur zbatimin e standardeve ushqimore me fokus në shkencë, inspektim në bazë risku, analiza ushqimore dhe komunikim me operatorët e zinxhirit të vlerës dhe me konsumatorët.

Në fjalën e saj, zonja Frida Krifca, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, theksoi progresin që po bëhet drejt përafrimit me Kapitullin 12 të acquis të BE-së, duke vënë në dukje punën që po bëhet për transpozimin e ligjeve për kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndetin e bimëve.

Në even mbajtën fjalë edhe znj. Jeta Deda, Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Valbona Paluka, eksperte e sigurisë ushqimore dhe përfaqësuese kombëtare për EFSA-n dhe Profesor Dr. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Veprimtaria përfshiu gjithashtu një demonstrim gatimi nga shefi i kuzhinës Alfred Marku nga Restorant Rapsodia i shoqëruar nga Vanessa Cooling nga Projekti i Sigurisë Ushqimore, e cila dha mesazhe kyçe mbi praktikat e mira të higjienës ushqimore. Bizneset e ushqimit të pranishëm morën kopje të një udhëzuesi për trajnimin për sigurinë ushqimore dhe një broshurë që përshkruan aftësimin mbi sigurinë ushqimore që duhet të jenë në gjendje të përvetësojnë punjësit që merren me ushqimin, përpara se të fillojnë të trajtojnë ushqimin në vendin e punës. Këto botime gjenden në faqen e AKU-së: https://aku.gov.al/higjiena-ushqimore/

Që nga viti 2019, projekti i Sigurisë Ushqimore ka zbatuar aktivitete për të mbështetur autoritetet shqiptare në ndërtimin e sistemeve të forta kombëtare të kontrollit të ushqimit të bazuar në shkencë, rregullore dhe bashkëpunim për të ofruar kontrolle të sigurisë agro-ushqimore që mbrojnë konsumatorët.

Ky angazhim financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës në partneritet me Departamentin Irlandez të Bujqësisë, Ushqimit dhe Marines, Autoritetin Finlandez të Sigurisë Ushqimore dhe Creative Business Solutions (CBS), Shqipëri.

Foto nga Event Bashkëpunimi në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore