Lajme nga projekti

Eventi 'One Health' në ISUV në kuadër të Javës së Evropës 2023

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Znj. Christiane Hohmann dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Znj.Frida Krifca iu bashkuan Projektit për Siguri Ushqimore (FSP) të financuar nga BE-ja dhe aktorëve të tjerë të fushës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) në 25 Maj në kuadër të Javës së Europës. Eventi nisi me një tur në kompleksin e laboratorit, pasuar nga një event i hapur mbi qasjen “One Health” (“Një shëndet”).

Në fjalën e saj, Znj. Vanessa Cooling, Drejtuese e FSP iu referua “One Health” si një qasje bashkëpunuese, ndërsektoriale dhe ndërdisiplinore – në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe global – me qëllim të arritjes së rezultateve optimale shëndetësore. Shqipëria e ka të qartë se shëndeti i njerëzve është i lidhur ngushtë me shëndetin e bimëve, kafshëve dhe mjedisin e përbashkët dhe se një strategji e qartë kombëtare e sigurisë agro-ushqimore është baza për zbatimin efektiv të parimit  “Një Shëndet” në të gjithë zinxhirin, nga ferma në tryezë.

Këtë vit, Java e Evropës ka vendosur theks të veçantë në rëndësinë e investimit në aftësitë e shqiptarëve, që janë të nevojshme për të ardhmen e vendit në BE.  Që nga viti 2019, projekti për Sigurinë Ushqimore i financuar nga BE-ja ka mbështetur MBZHR, AKU, AKVMB dhe ISUV me aktivitete trajnimi për t'i ndihmuar ata të ndërtojnë dhe zbatojnë një sistem kombëtar kontrolli të bazuar në shkencë, rregullore dhe bashkëpunim, për të ofruar kontrolle të sigurisë agroushqimore që mbrojnë konsumatorët.

Znj. Jeta Deda, Drejtore e Përgjithshme e AKU-së dhe Z. Roland Meçaj, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve folën për aktivitetet e mbështetura nga Projekti i Sigurisë Ushqimore që kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve brenda instituccioneve të tyre. Gjithashtu mbajtën fjalën e tyre Z. Pëllumb Aleksi, Drejtor i ISUV-it dhe Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), Profesor Fatbardh Sallaku, i cili theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

Eventi përfundoi me një prezantim të students së diplomuar të UBT-së, Merzai Bakiasi, e cila prezantoi punimin e saj mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në blegtorinë dhe Sigurinë Ushqimore në Shqipëri.

Ky angazhim financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës në partneritet me Departamentin Irlandez të Bujqësisë, Ushqimit dhe Marines, Autoritetin Finlandez të Sigurisë Ushqimore dhe Creative Business Solutions (CBS), Shqipëri.

Foto nga Eventi 'One Health' në ISUV në kuadër të Javëve të Evropës 2023