Lajme nga projekti

Fushatë Edukuese mbi Sigurinë Ushqimore

15 Prill 2022

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe mbështetjen e Projektit të Sigurisë Ushqimore kanë nisur një fushatë kombëtare ndërgjegjësuese për promovimin e sigurisë ushqimore në shkolla.

Shkolla 9-vjeçare “Mihal Grameno” në Tiranë, hapi siparin e fushatës Kombëtare për Ndërgjegjësimin ku përfaqësuesja e AKU-së znj. Yllka Allaraj foli me nxënësit për etiketimin e ushqimeve, sigurinë ushqimore dhe rolin e AKU-së në ndjekjen e ankesave dhe kontrollin mbi bizneset ushqimore dhe zbatimin e ligjit.

Vanessa Cooling dhe Elaine Madden nga Projekti për Siguri Ushqimore shpjeguan rëndësinë e leximit të etiketave ushqimore për të bërë zgjedhjet e duhura kur blejmë ushqim. Më pas u zhvillua një lojë interaktive për të testuar njohuritë e nxënësve për elementë të ndryshëm në etiketë si alergjenët, deklarimet e datave dhe kushtet e ruajtjes.

Aktivitetet edukuese me shkollat fillore dhe arsimin e mesëm do të vijojnë të zhvillohen nga AKU në nivel kombëtar për të inkurajuar nxënësit të bëhen ambasadorë të sigurisë ushqimore. Një fletëpalosje që përmban informacion mbi sigurinë ushqimore dhe etiketat për nxënësit e shkollave mund të shkarkohet në faqen e internetit të AKU-së.

Me financimin e Bashkimit Evropian, Projekti “Mbështetje për Standartet e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore në Irlandë (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.

Foto nga Fushata Edukuese mbi Sigurinë Ushqimore me nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Mihal Grameno" në Tiranë.