Lajme nga projekti

Gjetjet e Eurobarometrit rreth sigurisë ushqimore tregojnë se shqiptarët janë të kujdeshëm për vlerat ushqyese

12 mars 2020

Një sondazh Eurobarometer i dalë rishtazi tregon se shqiptarët janë më të interesuar për vlerat ushqyese të produkteve që ata konsumojnë në krahasim me konsumatorët në Bashkimin Evropian, por shqiptarët tregojnë një interes më të ulët në sigurinë ushqimore se sa qytetarët e BE-së.

Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) ka botuar gjetjet e Eurobarometer bazuar në një pyetësor për sjelljet e konsumatorëve, duke përfshirë edhe perceptimin rreth ndërgjegjësimit dhe rrezikut në lidhje me sigurinë ushqimore. Pyetësori u zhvillua në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, si edhe në pesë vende të para-anëtarësimit, duke përfshirë Shqipërinë.

Në Shqipëri u zhvilluan 1046 intervista në total gjatë nëntorit 2019. Pyetësori u nda në dy pjesë: pjesa e parë tregon interesin e qytetarëve për sigurinë ushqimore dhe tjetra paraqet ndërgjegjshmërinë dhe perceptimin e rrezikut.

Rezultatet tregojnë se 18% e qytetarëve shqiptarë të pyetur tregojnë interes personal në temën e sigurisë ushqimore në krahasim me 41% të qytetarëve të BE-së.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se përbërja e vlerave ushqyese (sasia e vitaminave, proteinave, sheqernave dhe yndyrnave) është fakti me peshën më të rëndësishme për konsumatorët shqiptarë (63 përqind e tyre), të ndjekur nga rreziqet e sigurisë ushqimore në lidhje me disa ushqime të caktuara (58 përqind e tyre). Ndërkohë që për qytetarët e BE-së dëftuesit më të rëndësishëm kur blejnë ushqime janë prejardhja e ushqimit (58%) dhe kostoja (51%).

Burimet mediatike si televizionet, gazetat dhe revistat konsiderohen burimet kryesore të informacionit si për qytetarët e BE-së (69%) ashtu dhe të Shqipërisë (61%).

Në krahasim me 22% të qytetarëve të BE-së të sonduar, 48% e qytetarëve shqiptarë e shohin sigurinë si shqetësimin kryesor kur zgjedhin ushqimin.

Rezultatet e sondazhit tregojnë gjithashtu se kur bëhet fjalë për perceptimin e substancave të rrezikshme në ushqim, 46 përqind e qytetarëve shqiptarë bëjnë kujdes me prodhimet që kanë lëndë të rrezikshme, që është në të njëjtën linjë me perceptimin e qytetarëve të BE-së (43%).

Në Shqipëri, duket se ka një mungesë informacioni për tema të caktuara siç janë lëndët shtesë (krahaso Shqipërinë - 38% me BE - 72%), higjenën e ushiqmit (Shqipëria - 19 %; BE - 68%), mbetjet e pesticideve tek ushqimi (Shqipëria - 30%; BE- 65%), reaksione alergjike nga ushqimet dhe pijet (Shqipëria - 9%; BE- 65%) dhe sëmundjet e kafshëve (Shqipëri - 19%; BE- 65%), krahasuar me informacionin e gjendur për qytetarët e BE-së.

Mbetjet e antibiotikëve, hormoneve dhe steroideve tek mish janë temat më shqetësuese për qytetarët e BE-së (44%), ndërkohë që qytetarët shqiptarë shfaqin shqetësim për organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ) në ushqim (41%) dhe lëndëve shtesë si ngjyrat, konservuesit apo aromatizuesit në ushqim apo pije (34%).

Kur shtrohet pyetja se sa besim kanë qytetarët shqiptarë në burime të caktuara të informacionit, të sonduarit dëshmuan se kanë besim në informacionin e botuar nga institucionet e BE-së për rreziqet e ushqimeve (me 79%), ndërkaq 56% thanë se kanë besim në informacionin e autoriteteve vendase.

Hollësitë e plota të pyetësorit gjenden në anglisht në link-un vijues:

http://www.efsa.europa.eu/sites/default/files/corporate_publications/files/eurobarometer19/country-factsheets/ebs_92.3_fact_al_en.pdf