Lajme nga projekti

Grupet e fokusit në MBZhR, AKU diskutojnë koordinimin mes agjencive për komunikimin rreth sigurisë ushqimore

12 gusht 2020 [English]

Projekti për Siguri Ushqimore po vazhdon punën me institucionet shqiptare për të përmirësuar mënyrën se si agjencitë shtetërore komunikojnë për sigurinë e ushqimit -- si ndërmjet tyre ashtu edhe me palët e interesuara, median dhe publikun.

Në këtë kuadër, u mbajtën dy takime të grupeve të fokusit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZhR) dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) më 28-29 korrik. Takimet synuan të shqyrtojnë dhe testojnë komunikimet e tanishme ndërmjet agjencive të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe të identifikojnë boshllëqet që duhet të plotësohen.

Ekspertët e projektit prezantuan një rast nga Bashkimi Evropian -- krizën irlandeze të dioksinës në mishin e derrit të vitit 2008 -- duke shpjeguar mësimet e përfituara dhe praktikat më të mira të krijuara nga autoritetet dhe palët e interesuara gjatë marrjes me krizën.

Zyrtarët shqiptarë diskutuan se si situata të ngjashme do të trajtoheshin në Shqipëri dhe si praktikat më të mira të BE-së mund të përfshihen në komunikimet e ardhshme rreth sigurisë ushqimore në vend. Disa skenarë fiktivë u parashtruan gjithashtu për diskutim për të identifikuar boshllëqet dhe gjetjen e zgjidhjeve të mundshme.

Diskutimet kishin një përqendrim të veçantë në atë se si MBZhR, AKU dhe agjenci të tjera qendrore dhe rajonale shtetërore që merren me sigurinë ushqimore mund të punojnë më mirë së bashku për të adresuar komunikimin e riskut dhe krizës. Qëllimi është të sigurohet ndjekja e duhur e kërkesave për informacion, që informacioni të jepet në kohë dhe të ketë një komunikim të unifikuar, të bazuar në shkencë dhe që rrit besimin në sistem.

Diskutimet e grupeve të fokusit janë pjesë e punës më të gjerë të projektit për të ndihmuar institucionet përfituese në Shqipëri që të krijojnë dhe të përdorin dokumente vepruese rreth marrjes së pyetjeve nga publiku, palët e interesuara dhe mediat që lidhen me çështje të përditshme si dhe çdo krizë të mundshme në lidhje me sigurinë ushqimore.

Projekti për Siguri Ushqimore (“Mbështetje për standartet e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare") zbatohet nga një sërë institucionesh me në krye Autoritetin Irlandez të Sigurisë Ushqimore (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Sigurisë Ushqimore të Finlandës (Ruokavirasto); Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.



Dy takime të grupeve të fokusit u mbajtën në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZhR) dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) më 28-29 korrik.