Lajme nga projekti
Kreu i FSAI-it takon zyrtarë në Shqipëri, merr pjesë në hapjen e aktiviteteve të projektit për 2020
17 janar 2020
Pamela Byrne, kreu (CEO) i Autoritetit të Sigurisë Ushqimore të Irlandës (FSAI), vizitoi Shqipërinë në 15-16 janar për t’iu bashkuar ekipit të Projektit të Sigurisë Ushqimore në nisjen e Planit të Punës 2020 dhe për të zhvilluar takime me zyrtarët kryesorë shqiptarë për çështjet e sigurisë ushqimore.
Përveç fjalës hapëse në Takimin e Dytë të Komitetit Drejtues të Projektit për Sigurinë e Ushqimore, Dr. Byrne u takua edhe me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi; homologun e saj shqiptar, Robert Lili, Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU); si dhe me Armand Revelin, Drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), i cili organizoi një takim të përbashkët me kolegët e Institutit të Shëndetit Publik, duke nënvizuar rëndësinë e një qasje të integruar për sigurinë e ushqimit.
Në takimet e saj në Shqipëri, Dr. Pamela Byrne foli për angazhimin e projektit për të ndihmuar në forcimin e aftësive të Shqipërisë për të mbrojtur konsumatorët dhe për të përmirësuar mundësitë e shkëmbimeve tregtare me vende te tjera ndërkohë që Shqipëria përparon në përpjekjen e saj për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Kreu i FSAI-t diskutoi me ekipin e projektit Planin e Punës 2020, i cili parashikon një intensifikim të përpjekjeve për forcimin e strukturave teknike, rritjen e ndërgjegjësimit të publikut, forcimin e angazhimit me operatorët e biznesit të ushqimit dhe përmirësimin e legjislacionit në lidhje me sigurinë e ushqimit, shëndetin e kafshëve, shëndetin e bimëve dhe sistemet e kontrollit në Shqipëri. Ajo vuri në dukje se viti 2020 është një vit vendimtar për projektin.
Me fillim në janar 2019 dhe përfundim në janar 2023, "Mbështetja e sigurisë ushqimore, standardeve veterinare dhe fitosanitare" është një projekt i financuar nga BE dhe zbatohet nga një grup organizatash i udhëhequr nga FSAI. Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.