Lajme nga projekti
Projekti për Sigurinë Ushqimore së bashku me AKU-në nisin Fushatën Ndërgjegjësuese “Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd”
30 Prill 2021
Duke nisur nga 1 Maj 2021, Projekti për Sigurinë Ushqimore në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) nisin një fushatë publike ndërgjegjësuese me sloganin: “Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd”. Etiketat ushqimore janë një mjet shumë i rëndësishëm për informimin e konsumatorëve. Kjo fushatë ka në fokus nxitjen e konsumatorëve për të lexuar etiketat përpara se të blejnë produktet ushqimore të paketura.
Tashmë Vendimi Nr. 434 ‘Për Etiketimin e Ushqimit dhe Informacionin e Konsumatorit’ është në fuqi dhë është përafruar me Ligjin e Bashkimit Evropian për sigurimin e informacionit ushqimor për konsumatorët (Rregullorja e BE 1169/2011).
Ky është një lajm shumë i mirë për konsumatorët shqiptarë, pasi shumë detaje të reja dhe të rëndësishme të tilla si informacioni për alergjenët duhet të paraqiten në shqip në etiketën e produkteve. Gjithashtu ky vendim ve nën përgjegjësi operatorët e biznesit ushqimor që informacioni në etiketat ushqimore të jetë i saktë, i qartë, i thjeshtë për t’u kuptuar dhe jo çorientues.
Për një shpërndarje sa më të gjerë të mesazhit “Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd”, kjo fushatë do të transmetohet në kanalet kryesore të televizioneve shqiptare si edhe në rrjetet mediatike sociale të institucioneve partnere.
Fushata do të përfshijë një partneritet edhe më të gjerë me rrjetet e mirënjohura të supermarketeve shqiptare, përmes afishimit të posterave, me informacion të detajuar për t’i dhënë konsumatorëve informacionin e duhur mbi elementët kryesorë të etiketave, duke i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhjet e duhura të produkteve ushqimore.
Me financimin e Bashkimit Evropian, Projekti “Mbështetje për Standartet e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore në Irlandë (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.
Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd - Fushatë Ndërgjegjësimi