Lajme nga projekti
Projekti vazhdon punën ndërkohë që Shqipëria përballet me pandeminë e COVID-19
24 prill 2020
Teksa Shqipëria dhe mbarë bota përballen me rrezikun e COVID-19, Projekti për Siguri Ushqimore ka vazhduar veprimtarinë e tij në ato fusha ku detyrat përkatëse mund të përmbushen në kushtet e kufizimeve të vendosura për të luftuar pandeminë, ndërkohë që stafi i projektit punon nga shtëpia. Për shembull, këtë javë, një seri me video, që prezantojnë misionin dhe vizionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të prodhuara me ndihmën dhe orientimin e projektit, u botuan në YouTube. Videot do të shpërndahen së shpejti nga AKU edhe në kanalet e rrjeteve sociale .
Projekti po punon me partnerët lokalë në disa fusha të ndryshme, që variojnë, nga edukimi virtual për sigurinë ushqimore deri te planifikimi strategjik.
Shqipëria, si shumë shtete të tjera, po ndjek këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në lidhje me masat e distancimit fizik, si një nga rrugët që zvogëlon transmetimin e sëmundjes. Zbatimi i këtyre masave ka rezultuar në mbylljen e shumë bizneseve, shkollave, dhe institucioneve edukative dhe në kufizimin e udhëtimeve dhe tubimeve.
Projektit i ka shtyrë disa detyra, të cilat nuk janë të mundura me kërkesat e distancimit social dhe masave të tjera për të luftuar shpërndarjen e virusit, përfshi eventet, prezantimet dhe takimet e ndryshme, sidoqoftë komunikimi i projektit me partnerët lokalë dhe gadishmëria e bashkëpunimit është i vazhdueshëm.
Në kohë sfiduese si këto, Shqipëria mori një lajm të mirë në 24 mars, kur Bashkimi Evropian ra dakord që të hapte negociatat për antarësim me Shqipërinë. Ky ishte një mesazh i zëshëm dhe i qartë, jo thjesht për Shqipërinë, por edhe për tërë Ballkanin Perëndimor, duke ritheksuar dhe duke përçuar përkushtimin e BE-së për rajonin.
Lajmi sjell energji të reja për projektin dhe partnerët e tij në Shqipëri dhe në përpjekjet e vazhdueshme që përgatisin Shqipërinë të përmbushë standartet evropiane në sigurinë ushqimore dhe fushat përkatëse.
Ndërkohë që të gjithë përballen me këto rrethana të panjohura, ekipi i Projektit të Sigurisë Ushqimore shpreh vazhdimisht solidaritetin e tij me të gjithë shqiptarët, duke mbajtur një veprimtari aktive, duke kërkuar rrugë të cilat çojnë përpara detyrat ekzistuese dhe duke gjetur mundësi të reja ku mund të japë mbështetjen e nevojshme në lidhje me COVID-19.
Projekti uron t’i japë institucioneve shqiptare udhëzimet e duhura dhe praktike gjatë zbatimit të proçedurave të sigurisë ushqimore dhe sigurimit të vazhdimësisë së biznesit ushqimor.