Lajme nga projekti
Projekti për Sigurinë Ushqimore së bashku me AKU-në organizoi evente ndërgjegjësuese në katër Qendra Tregtare duke këshilluar konsumatorët mbi etiketimin e ushqimeve.
31 Dhjetor 2021
Gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, kur Qendrat Tregtare janë mjaft të frekuentuara nga konsumatorët, Projekti për Sigurinë Ushqimore së bashku me ekspertët e AKU-së organizuan evente ndërgjegjësuese në rrrjetet më të mëdha të supermarketeve në kryeqytet. Aktivitetet me stendën e ndërgjegjësimit "Mëso të lexosh ushqimin tënd" u fokusuan në këshillimin e konsumatorëve që të bëjnë zgjedhje të zgjuara gjatë blerjes së ushqimit duke lexuar me kujdes etiketat e produkteve ushqimore.
Gjatë aktiviteteve në katër qendrat kryesore tregtare dhe supermarketet e mëdha në Tiranë, më shumë se 500 konsumatorë u përfshinë në diskutime interaktive në lidhje me rregullat dhe udhëzimet e reja të VKM 434/2018 për Etiketimin e Ushqimit, ndërsa interesi ishte i lartë veçanërisht për udhëzimet për datën e qëndrueshmërisë minimale dhe për alergenët.
Këto evente përmbyllin fushatën ndërgjegjësuese 360 gradë “Mëso të lexosh ushqimin tënd” e nisur gjatë vitit 2021, e cila përfshiu spot televiziv, trajnime me OBU-të, botim broshurash udhëzuese e seminare me të rinjtë, ndërsa një seri seminaresh në mbarë Shqipërinë me inspektorët e AKU të 12 zyrave rajonale janë planifikuar të organizohen gjatë vitit 2022.
Foto gjatë zhvillimit të Stendës së Etiketave në Qëndrat Tregtare në Tiranë