Lajme nga projekti

Trajnim mbi Ligjin e Shëndetit të Bimëve me specialistët e AKVMB

31 Mars 2022

Specialistët për Mbrojtjen e Shëndetit të Bimëve nga zyrat e Drejtorive Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes së Bimëve dhe Veterinarisë (AKVMB) u bënë pjesë e trajnimit mbi elementët e ligjit të shëndetit të bimëve. Trajnimi i organizuar nga Projekti për Siguri Ushqimore kishte në fokus regjistrimin e operatorëve profesionistë dhe pasaportat e shëndetit të bimëve.

46 specialistë për Mbrojtjen e Shëndetit të Bimëve vinin nga 12 zyrat rajonale dhe qëndrore të AKVMB në Shqipëri. Trajnimi dy ditor, datë 30-31 Mars 2022, i mbajtur në Elbasan dhe Tiranë u drejtua nga Eksperti Irlandez për Mbrojtjen e Bimëve, Gabriel Roe.

Gabriel Roe, ka kryesuar Departametin e Shëndetit të Bimëve dhe Hotikulturës në Ministrinë e Buqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë për nëntë vite. Z. Roe gjithashtu ka shërbyer si delegat irlandez në shumë komisionie brenda BE-së, në Organizatën Evropiane dhe Mesdhetare të Mbrojtjes së Bimëve (EPPO) dhe Konventën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve (IPPC).

Trajnimi përfshinte dhe dy vizita në terren tek operatorët profesionistë të përfshirë në prodhimin e bimëve. Dita e parë ishte një vizitë tek operatori profesionist Eco Green, në Shirgjan, Elbasan. Vizita në ditën e dytë u zhvillua në ambientet e Agro Fidane Prencit, Bërxullë, Tiranë. Trajnime të tjera për elementë të tjerë të shëndetit të bimëve janë planifikuar për më vonë gjatë vitit.

Me financimin e Bashkimit Evropian, Projekti “Mbështetje për Standartet e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore në Irlandë (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.

Foto nga Trajnim mbi Ligjin e Shëndetit të Bimëve me specialistët e AKVMB në Elbasan dhe Tiranë