Lajme nga projekti

Vazhdon programi i Trajnimit për Shëndetin e Bimëve

29 Korrik 2022

Eksperti Irlandez i shëndetit të bimëve, Gabriel Roe u rikthye në Tiranë këtë javë për të vazhduar ofrimin e trajnimeve mbi elementet e Ligjit për Shëndetin e Bimëve. Këtë herë z. Roe prezantoi informacion mbi “Dëmtuesit jo-karantinorë të rregulluar të bimëve (DJKRR)' për përfaqësuesit e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) dhe Enti Shtetëror për Farat dhe Fidanët (ESHFF). Gjatw trajnimit u realizuan edhe vizita në dy operatorë (Agro Korani dhe Fidanët Lisar), biznesi i të cilëve përfshin materialin mbjellës dhe shumëzues bimor.

Gjatë javës z. Roe u takua gjithashtu me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Fakulteti i Pyjeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës për të diskutuar anketat e dëmtuesve të bimëve nga këndvështrimi i materialeve të mbjella në pyje dhe hapësira publike.

Takime të tjera u zhvilluan me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe agjencitë për të avancuar kuadrin ligjor të zbatimit të ligjit të BE-së për shëndetin e bimëve në Shqipëri.

Me financimin e Bashkimit Evropian, Projekti “Mbështetje për Standartet e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore në Irlandë (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.

Foto nga Trajnimi për Shëndetin e Bimëve me përfaqësues të AKU, AKVMB, ISUV dhe ESHFF