Lajme nga projekti
Video Prezantuese e Projektit për Siguri Ushqimore
5 Janar 2021
Siguria ushqimore është një prioritet i shëndetit publik, sepse ajo prek të gjithë qytetarët e një vendi.
Për të rritur nivelin e sigurisë ushqimore, shtetit i kërkohet të organizojë institucione dinamike, të afta për të zhvilluar dhe zbatuar një numër të madh rregulloresh, të cilat përmirësohen vazhdimisht. Është e pamundur që ligji për ushqimin të zbatohet i plotë, nëse nuk rritet ndërgjegjësimi i publikut dhe nuk përmirësohet komunikimi mes konsumatorëve dhe institucioneve.
Projekti për Siguri Ushqimore, i financuar nga BE, fokusohet në të gjitha fushat e sipërpërmendura. Ne po ndihmojmë Shqipërinë të përafrojë dhe të zbatojë standardet e BE-së, standarde të cilat do japin më tepër mbrojtje për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve.
Ndihma e projektit ndaj institucioneve shqiptare ka një qasje unike, nga agjensia në agjensi, ku Autoriteti për Siguri Ushqimore në Irlandë udhëheq një grup organizatash menaxhuese. Të përfshirë gjithashtu janë Autoriteti i Ushqimit finlandez, Departamenti irlandez për Bujqësinë, Ushqimin dhe Marinën si dhe Creative Business Solutions, me vendndodhje në Shqipëri.
Projekti i financuar nga Bashkimi Europian me shumën 5 milion euro, filloi në janar 2019 dhe pritet të përfundojë në janar 2023.
Për të mësuar më shumë rreth punës tonë dhe sigurisë ushqimore në Shqipëri, na vizitoni në faqen online. Ne dëshirojmë të dëgjojmë edhe mendimin tuaj. Na kontaktoni në info@thefoodsafetyproject.eu